Konkluzionet e Konferencave Ekonomike

Unioni i Afaristeve Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc prezantohet në diasporë – Konkluzionet e Konferencave Ekonomike”
Pas mbajtjes së dy konferencave në Preshevë dhe Bujanoc, organizata “Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc” ka përmbledhur konkluzionet dhe planet që kanë dalë nga konferenca. Në fokus të këtij aktiviteti ishin komuniteti i mërgatës shqiptare dhe përfaqësues të diplomacisë, duke nisur nga Zvicra dhe duke planifikuar zgjerimin e takimeve edhe në shtete të tjera evropiane dhe deri në SHBA.
Të pranishmit në këtë aktivitet ishin pjesëtarë të mërgatës OJQ nga Zvicra, ndërsa morën pjesë edhe afaristë nga Finlanda, Gjermania, Franca e Austria, të cilët përfaqësonin një spektër të gjerë të diasporës shqiptare.
Në mesin e të ftuarve ishte edhe z. Rexhep Demiri, Ambasador i Maqedonisë së Veriut, i njohur për lidhjet e tij të ngushta dhe mbështetjen ndaj komunitetit shqiptar në diasporë. Ai u shoqërua nga atdhetari Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, i cili u vlerësua për kontributin e tij në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare.
Në këtë aktivitet, përveç Ambasadorit Demiri, morën pjesë edhe diplomatë të tjerë të njohur për mbështetjen e tyre ndaj diasporës shqiptare, si z. Valon Gashi Sekretar i par nga Ambasada e Shqipërisë në Bernë dhe z. Avni Zejnullahu, shefi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih.
Në takim u prezantua projekti i parë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, me një vlerë prej rreth 500,000 euro, që përfshin krijimin e një pike grumbullimi dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e këtij sektori. Ky projekt u mirëprit nga të pranishmit për potencialin e tij në përmirësimin e gjendjes ekonomike të trevave të Luginës.
Pro.Dr. Fatgëzim Latifi, prezantoi një studim mbi situatën ekonomike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke vënë në dukje nevojën për veprim të menjëhershëm në këtë rajon. Ndërkohë, Kryetari i Departamentit për Zhvillim, z. Muhamed Ramadani, mbajti një prezantim interaktiv duke përfshirë të pranishmit në diskutim.
Një ndër mesazhet kryesore ishte nga z. Valon Gashi, i cili theksoi angazhimin dhe mbështetjen e diasporës për zhvillimin e rajonit të Preshevës, si dhe nevojën për një bashkëpunim të vazhdueshëm. “Diaspora shqiptare është një organizim i jashtëzakonshëm dhe ka qenë shtytës i zhvillimit për Luginën e Preshevës,” tha ai, duke inkurajuar të gjithë të pranishmit për të kontribuar.
Në aktivitet mori fjalën edhe Omer Nura, Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, i cili përforcoi thirrjen për mbështetje për Luginën e Preshevës. Një video-mesazh nga Kryetarja e Komunës së Preshevës iu drejtua gjithashtu mërgatës, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre.
Në përfundim të aktivitetit, Kryetari i Unionit të Afaristëve “UAV- PMB”, z. Xhelal Memeti, bëri një pasqyrë të projekteve të organizatës dhe i ftoi të pranishmit që të përfshihen si investitorë në projekte të ardhshme. Disa kompani prezente u angazhuan të kontribuojnë me 1% të përfitimeve të tyre totale për projektet që po ndërmerren.
Konferenca e ardhshme është planifikuar të mbahet në vitin 2025 në Medvegjë, ku pritet të diskutohen hapa të tjerë konkretë për zhvillimin e këtij rajoni dhe për rritjen e bashkëpunimit mes diasporës dhe komunitetit në Luginë.
12.11.2024, Preshevë
Shërbimi për informim pranë UAV-PMB.

Komentet jane te deaktivizuara.