Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtar përfaqësuesit e Unionit të Afaristëve të Luginës së Preshevës: Kryetarin z. Xhelal Mehmeti, anëtarin e kryesisë z. Shefki Jonuzi dhe anëtarin z. Shyqëri Bytyqi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që prekin komunitetin shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Përfaqësuesit e Unionit informuan Presidentin mbi situatën aktuale në këtë trevë dhe evidentuan shqetësime të theksuara, përfshirë çështjen e pasivizimit të adresave të qytetarëve shqiptarë në Serbi – një problem që po prek qindra familje. Ata theksuan gjithashtu nevojën për mbështetje në fushën ekonomike dhe kërkuan ndihmën e institucioneve shqiptare për të avancuar projekte që do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të zonës.

Nga ana e tij, Presidenti përgëzoi bashkimin e bizneseve shqiptare të Luginës dhe atyre në diasporë për qasjen e duhur ekonomike në zhvillimin e agrokulturës në këto treva, duke theksuar se nxitja e investimeve dhe sigurimi i tregjeve për prodhimet e kësaj zone është një pikë e mirënisur për fuqizimin ekonomik të rajonit dhe për frenimin e emigrimit të të rinjve.
Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e Unionit shprehën mirënjohjen për Presidentin Begaj, duke vlerësuar qasjen e tij patriotike dhe institucionale, si dhe përkushtimin për të mbështetur diasporën shqiptare dhe çështjen kombëtare në të gjitha angazhimet ndërkombëtare.
Presidenti Begaj mbetet një ndër figurat e pakta institucionale në historinë e shtetit shqiptar që, në çdo vizitë zyrtare jashtë vendit, ka vënë në plan të parë çështjet që prekin shqiptarët jashtë kufijve dhe angazhimin me diasporë shqiptare.
09/05/2025