Takim i rëndësishëm në Budapest për çështjet e Luginës së Preshevës


Budapest, 15 Qershor 2025 – Kryetari i Unionit të Afaristëve Vendorë dhe të Diasporës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UAV-PMB), z. Xhelal Memeti, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me afaristin dhe veprimtarin e njohur të diasporës shqiptare, z. Avni Hafuzi, në kryeqytetin hungarez, Budapest.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, ku palët diskutuan gjerësisht mbi sfidat dhe mundësitë që përballon Lugina e Preshevës, si dhe rolin e diasporës shqiptare në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të këtij rajoni me rëndësi të veçantë kombëtare.

Një nga temat kryesore të takimit ishte Konferenca Ekonomike e Luginës së Preshevës me moton “Ekonomia shpëton Luginën”, e cila do të organizohet më 27 shtator 2025 në Medvegjë. Z. Memeti dhe z. Hafuzi u dakorduan për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, si një platformë e fuqishme për të bashkuar investitorët, profesionistët dhe institucionet për të krijuar ura bashkëpunimi dhe zhvillimi në trevat shqiptare në jug të Serbisë.

Z. Avni Hafuzi, i njohur për kontributin e tij të palodhshëm ndaj çështjes kombëtare dhe zhvillimit ekonomik të viseve shqiptare, shprehu përkushtimin e tij për të mbështetur iniciativat që fuqizojnë komunitetin shqiptar në Luginë dhe theksoi rëndësinë e bashkërendimit të përpjekjeve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Sunday 15 June 2025

Komentet jane te deaktivizuara.